Faktorët e rrezikut kardiovaskular
Sëmundjet kardiovaskulare prekin zemrën dhe enët e gjakut!
Ass.Dr. Edmond Haliti PHDc
Specialist i Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë
Faktorët e rrezikut kardiovaskular
Sëmundjet kardiovaskulare janë një grup i madh sëmundjesh të cilat prekin zemrën dhe enët e gjakut. Ato janë mjaft të shpeshta në praktikën klinike, duke ndikuar ndjeshëm në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e gjithëmbarshme të popullatës, ndërsa vazhdojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjes në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim.
Në këtë grup të sëmundjeve bëjnë pjesë:
- Sëmundja koronare e zemrës: sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë me gjak vet muskulin e zemrës; prototip i kësaj sëmundjeje është sulmi në zemër (infarkti akut I miokardit).
- Sëmundja cerebrovaskulare: sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë trurin me gjak; prototip i kësaj sëmundjeje ësht sulmi në tru (insulti cerebral).
- Sëmundjet e aortës: sëmundje që prekin enën kryesore që nxjerrë gjakun nga zemra;
- Sëmundja e arterieve periferike: sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë anësitë e sipërme dhe të poshtme;
- Sëmundjet reumatike të zemrës dhe veset e tjera të fituara me natyrë joreumatike: dëmtimet e valvulave dhe muskulit të zemrës shkaktuar nga ethja reumatizmale (përkatësisht pas infeksionit bakterial të shkaktuar nga streptokoku) ose edhe dëmtimet e tjera me natyrë joreumatike (degjenerative, metabolike, imunologjike etj);
- Sëmundjet e lindura të zemrës: keqformimet anatomike të zemrës ekzistente që në lindje;
- Sëmundjet me natyrë të ndryshme (të fituara ose të lindura) që prekin primarisht endokardin (shtresën e brendshme të zemrës), miokardin (shtresën e mesme ose muskulin e zemrës) ose/dhe perikardin (shtresën e jashtme ose cipën e zemrës);
- Tromboza e venave të thella dhe embolia pulmonare: formimi i droҫkave të gjakut (trombeve) në venat e thella të këmbëve, të cilat mund të japin pengesa lokale në vendin e origjinës (këmbë) ose mund të shkëputen nga aty dhe me rrjedhën e gjakut të arrijnë në zemër ose mushkëri;
- Hipertensioni arterial sistemik dhe ai pulmonar: rritja e shtypjes arteriale në qarkullimin sistemik të madh), përkatësisht atë pulmonar (të vogël)
Ndonëse shkaktari i saktë i këtyre sëmundjeve mbetet ende i panjohur, njihen qartë disa sëmundje, gjendje patologjike, rrethana e shprehi të pashëndetshme të cilët predispozojnë shfaqjen e tyre. Këta quhen faktorë të rrezikut kardiovaskular dhe prezenca e tyre te një person rritë dukshëm mundësinë për t’u sëmurë nga këto sëmundje. Shumë prej këtyre faktorëve mund të kontrollohen, modifikohen ose mjekohen, por ka edhe të tillë faktorë rreziku që janë të pakontrollueshëm, pamodifikueshëm dhe të pamjekueshëm.
Nisur nga kjo pikëpamje, faktorët e rrezikut kardiovaskular i ndajmë në faktorë të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm.
Faktorët e modifikueshëm
Në këta faktorë bëjnë pjesë:
- Hiperlipidemia (niveli i rritur i yndyrërave në gjak)
- Diabeti mellitus (niveli i rritur i sheqerit në gjak ose sëmundja e sheqerit)
- Hipertensioni arterial (shtypja e lartë e gjakut)
- Duhanpirja (proporcionalisht me kohën dhe sasinë e duhanit të tymosur)
- Mbipesha, dhjamosja ose obeziteti (shtimi në peshë në llogari të indit dhjamor)
- Inaktiviteti fizik (jeta pasive ose sedentare, mungesa e aktivitetit të rregullt fizik)
- Dieta jo e shëndetshme (me dominim të sheqernave të thjeshtë, yndyrëra shtazore, brumëra etj)
- Gjendja socio-ekonomike (niveli i ulët social dhe ekonomik, vendet në zhvillim)
- Menopauza (ndërprerja e ciklit menstrual të një femër)
- Alkooli (sasitë e vogla prej një deri dy njësish standarde në ditë, nuk janë të dëmshme për sistemin kardiovaskular, por këtu i referohemi abuzimit me alkoolin në doza më të larta se kaq)
Faktorët e pamodifikueshëm
Në këtë grup faktorësh përfshihen:
- Trashëgimia
Historia familjare për sëmundje kardiovaskulare në të afërmit e rendit të parë të farefisnisë. Poashtu njihet tashmë edhe roli i i etniciteti dhe racës në shfaqjen e sëmundjeve të veҫanta kardiovaskulare. Studimet epidemiologjike tregojnë se në mesin e amerikanëve me origjinë afrikane ose aziatike incidenca e sëmundjeve kardiovaskulare është më e lartë se ata me origjinë hispanike ose latine.
- Mosha
Sëmundjet kardiovaskulare janë më të shpeshta në moshat më të vjetra. Procesi i plakjes, si një proces fiziologjik, patjetër se shfaq efekte e veta edhe në sistemin kardiovaskular, duke shkaktuar kondita të reja të disfavorshme për funksionimin optimal të tij, madje edhe në mungesë të sëmundjeve të veҫanta ose prezencës së faktorëve të rrezikut (p.sh pengesat në mbushjen normale të barkushes së majtë gjatë diastolës si pasojë e uljes së elasticitetit, përkatësisht ngurtësimit të muskulit të zemrës).
- Gjinia
Meshkujt janë përgjithësisht më të prirur sesa femrat për t’u prekur nga incidentet kardiovaskulare. Rreziku për këto sëmundje tek femrat fillon e rritet ndjeshëm pas menopauzës, ndërsa pas disa vitesh barazohet me atë të meshkujve meshkujve.
- Profili (tipi) psikologjik
Personat impulsiv, energjik, ambicioz e, gjaknxehtë, të prirur për punë me nivel të lartë stresi dhe përgjegjësie, kanë një prirje më të shprehur për incidente kardiovaskulare. Janë këta tipa që sipas ndarjes së dikurshme të tipeve të personalitetit (të përshkruar nga grekët e vjetër, bazuar në dominimin e lëngjeve trupore), janë quajtur tipa “sanguin”, ose tipi “A” sipas klasifikimit bashkëkohor (Jenkins, Ayzanski dhe Rosenman, 1971). Përkundrazi tipat e qetë, gjakftohtë, më të ngadalshëm, më pak ambicioz, imagjinativ, filozofik, ose tipat flegmatik, të njohur sot si tipi “B” i personalitetit, janë më pak të prekur nga këto probleme shëndetsore.
Ndërsa sa i përketë ndikimit që kanë faktorët e veҫantë të rrezikut në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare më të shpeshta, dallojmë faktorët madhor dhe minor të rrezikut kardiovaskular.
Studimet e shumta kanë treguar se në vdekshmërinë (mortalitetin) e gjithëmbarshme, në mënyrë direkte ose indirekte, hipertensioni arterial si faktor i pavarur, kontribon me rreth 13% të vdekjeve, i pasuar më pas nga duhanpirja me rreth 9%, niveli i lartë i sheqerit në gjak (diabeti) me rreth 6%, mungesa e aktivitetit të rregullt fizik 6% dhe obeziteti 5%. Gjetja e njëkohshme e disa faktorëve tek i njëjti person dhe koha e ekspozimit ndaj tyre e rritë në mënyrë eksponenciale rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare me përfundim potencialisht fatal.
Faktorët madhor | Faktorët minor |
Hiperlipidemia Diabeti Hipertensioni arterial Duhanpirja | Gjinia Mashkull Mosha Trashëgimia Menopauza Profili psikologjik (Tipi A) Obeziteti Inaktiviteti fizik Dieta jo e shëndetshme Alkoolizmi Gjendja socio-ekonomike Hiperfibrinogjenemia Homocisteinemia Hiperuricemia Reaksionet imunologjike |
Misioni ynë
Ne punojmë intensivisht dhe jemi shumë të përkushtuar që të sigurojmë kujdes maksimal, profesionalizëm dhe pergjegjesi të lartë në raport me pacientët tonë duke vënë në qendër shëndetin dhe mirëqenien e tyre, duke i trajtuar të gjithë me të njëjtin standart, siguri dhe dinjitet. Sinqeriteti, respekti dhe besimi i ndërsjellë janë synimet e punës tonë.